Hartimi i Procedurave ligjore lidhur me Marrëdhënien Juridike të Punës

Referuar Kodit të Punës së Republikës së Shqiperisë marrëdhënia juridike e punës është nëe marrëdhënie legale formale dhe si e tillë duhet të shoqërohet me kontratë mes palëve. Sa më siper ne ofrojmë konsulencë lidhur me hartimin e kontratave të punës, procedurën e dhënies së lejes vjetore, procedurën për dhënien e masave disiplinore dhe largimit nga puna ,etj.

Kur është e finalizuar një marrëdhënie pune (i siguruar, kontrata dhe elementët e saj)?

Çdo punëdhënës është i detyruar të deklarojë zyrtarisht, në organin tatimor, çdo punonjës që fillon punë për herë të parë në një subjekt apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës.

Kontrata e punës është e vetmja marrëveshje mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, të cilët duke patur në konsideratë parimin e lirisë kontraktuale, përcaktojnë përmbajtjen e saj në përputhje me Kodin e Punës së RSH-së, si dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore të legjislacionit të punës, si dhe vullnetit të shprehur të tyre.

Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Punëmarrësi fillon punën pas nënshkrimit të dokumentit kontratë pune. Përjashtimisht vetëm për raste të justifikuara dhe të veçanta formalizimi mund të bëhet brenda 7 ditëve.

Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar. Punëdhënësi është i detyruar ta lidhë atë brenda 7 ditëve nga dita e punësimit. Ajo hartohet për kryerjen e një pune për një periudhë kohe të caktuar ose të pacaktuar vetëm kundrejt pagesës.

Tipet e kontratave individuale të punës janë si më poshtë:

  • Kontrata individuale e punës me kohë të plotë.
  • Kontrata individuale e punës me kohë të pjesshme.
  • Kontrata individuale e mësimit të profesionit.

Kontrata e punës duhet të përmbajë domosdoshmërisht elementët:

  • Identitetin e palëve.
  • Vendin dhe përshkrimin e punës
  • Datën e fillimit të punës.
  • Kohëzgjatjen (me afat /afat i pacaktuar).
  • Kohën normale ditore dhe javore të punës.
  • Kohëzgjatja normale ditore e punës është 8 orë në ditë dhe javore 40 orë në javë. Çdo orë e punuar mbi kohën normale të punës konsiderohet orë shtesë.
  • Me kohëzgjatje të punës, kuptohet koha gjatë së cilës punëmarrësi është në dispozicion të punëdhënësit, përfshirë edhe kohën gjatë së cilës kryen formimin ose riformimin profesional, të lejuar nga punëdhënësi.
  • Në kohën e punës nuk përfshihet koha e pushimit, gjatë së cilës punëmarrësi nuk është në dispozicion të punëdhënësit.
  • Elementet përbërëse të pagës dhe datën e dhënies së saj.
  • Me pagë kuptohet paga bazë, si dhe shtesat me karakter të përhershëm. Aktualisht me VKM paga minimale është përcaktuar, 24 000 (njëzet e katër mijë) lekë. Paga paguhet vetëm përmes sistemit bankar. Punëdhënësi i jep punëmarrësit për çdo pagë përllogaritjen ku përfshihet shuma e pagës, bazat e përllogaritjes, nëse kjo është e ndryshueshme, si dhe të gjitha zbritjet prej saj, në datën e përcaktuar në kontratën e lidhur mes palëve.

Shtesat në pagë për punë të kryer në:

Puna me turne :

  • Turni II-të (nga ora 19.00 – 22.00 shtesa jo më pak se 20%)
  • Tuni III-të (nga ora 22.00- 06.00 shtesa jo më pak se 50 %)

Pushimi javor përfshin ditën e djelë. Puna e kryer në ditët e pushimit javor kompensohet jo më pak se 25 %, ose me pushim, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer + pushim shtesë, jo më pak se 25 % të kohëzgjatjes së kësaj pune.

Puna e kryer në ditët e festave zyrtare kompensohet jo më pak se 25 % dhe me një pushim të pagueshëm, të barabartë me kohëzgjatjen e punës së kryer në ditët e festave zyrtare.
Puna e kryer në orë shtesë paguhet jo më pak se 25 %, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. Orët shtesë të punës të kryera gjatë pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50 % më të madhe se paga normale, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. Ky kompensim përfshin edhe kompensimet e përfshira në paragrafët paraardhës.

  • Kohëzgjatjen e pushimeve vjetore
    PUSHIMET VJETORE janë jo më pak se 4 javë kalendarike gjatë vitit të punës në vazhdim.
    Pushimet vjetore nuk përfshijnë ditët e festave zyrtare. Nëse festa zyrtare bie ditën e pushimit vjetor me pagesë, pushimi vjetor shtyhet.
    Në rastet e punëmarrësit, i cili nuk ka kryer një vit pune të plotë, kohëzgjatja e pushimeve llogaritet përpjestimisht me kohëzgjatjen e punës së kryer.
  • Përfundimi i marrëdhënieve të punës dhe njoftimi
    Gjatë kohës së marrjes në provë, secila nga palët mund të zgjidhë kontratën duke njoftuar të paktën 5 ditë përpara.

 

Një kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit. Palët duhet të respektojnë një afat njoftimi:

  • prej dy javësh, kur marrëdhënia e punësimit ka zgjatur deri në gjashtë muaj,
  • prej një muaji, për kohëzgjatjen mbi gjashtë muaj deri në dy vjet,
  • prej dy muajsh, për kohëzgjatjen mbi dy vjet deri në pesë vjet,
  • prej tre muajsh, për kohëzgjatjen për më shumë se pesë vjet.

Një kontratë pune me afat të caktuar përfundon në fund të kohës së parashikuar, pa zgjidhje paraprake.

Punëdhënësi duhet të njoftojë me shkrim punëmarrësin të paktën 72 orë para takimit dhe të bisedojë me duke i parashtruar arsyet e vendimit. Zgjidhja njoftohet me shkrim, me arsyet e zgjidhjes brenda një afati nga 48 orë deri në një javë pas takimit.

  • Llojet dhe proçedurat e masave disiplinore.
    Kujdes! Ndalohet dhënia e gjobave nga punëdhënësi, me përjashtim të gjobave të përcaktuara në Kontratën Kolektive.
  • Referenca të kontratës kolektive (nëse funksionon organizim sindikal dhe ekziston një marrëveshje kolektive).