Sistemi Sigurisë

 


Hartimi dhe përpilimi i Dokumentit të Vlerësimit të Riskut dhe informimi i punonjësve për të

Ligji Nr. 10 237, dt 18.02.2010 “Për sigurinë dhe shëndetin në Punë”, konkretisht në nenet 6, 9, 10, 12, 13, 14 kërkon si detyrim parësor të punëdhënësit hartimin e Dokumentit të Vlerësimit të Riskut (DVR). Në këtë dokument tepër të rëndësishëm për sistemin e sigurisë dhe shëndetit në ndërmarrje, bëhet një vlerësim i rrezikut potencial për të gjithë veprimtarinë e punës, vendet e punës, pozicionet e punës dhe te gjitha pajisjet e punës teknike dhe teknologjike, agjentët, substancat dhe materialet e vecanta, që janë në subjekt. DVR shtjellon në mënyrë të detajuar cdo element rrezikshmërie në veprimtarinë e punës që mund të cënojë sigurinë apo të dëmtojë shëndetin e punëmarrësit. Ai përshkruan dhe mënyrën e organizimit të sistemit mbrojtës, përmes kryerjes së detyrimeve ligjore dhe procedurave që përmbajnë të gjithë rregulloret e miratuara për të pasur një mjedis të sigurtë dhe të shëndetshëm.

DVR duhet të rishikohet sa herë që në ndëmarrje ndryshojnë pajisjet e punës, kushtet e punës, apo mjedisi i punës.


Trajnim dhe informim për DVR dhe i vazhdueshëm i punëmarrësve 

Referuar ligjit Nr. 10 237 datë 1.02.2010, punëdhënësi ka detyrimin ligjor të informojë dhe trajnojë periodikisht punëmarrësit lidhur me rreziqet që janë të pranishëm në mjedisin dhe vendin e punës, agjentët e rrezikshëm, proceset e punës, makineritë e përdoruara gjatë proceseve etj. Në raport me të gjthë risqet që parashikohen, punëmarrësit njihen dhe me organizimin dhe masat që duhen ndërmarrë që rreziku potencial të mos cënojë sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve.

Nëpërmjet ekspertëve të saj të fushës, inxhinierë, mjekë dhe juristë, TOSHA ofron informim dhe trajnim për punonjësit për kushte më të sigurta pune dhe cdo gjë që përmban Ligji i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë dhe VKM në zbatim të tij.


Sinjalistika

Referuar VKM nr. 1012 date 10.12.2012, Për Miratimin e Rregullores “Për sinjalistikën në kantier dhe në vendin e punës”, punëdhënësi duhet të parashikojë ekzistencën e një sinjalistike të sigurisë dhe shëndetit në kantier apo cdo vend të punës, në përputhje me këtë rregullore, kur rreziku ose risku nuk mund të shmanget a të kufizohet në mënyrë te mjaftueshme me mjete teknike te mbrojtjes kolektive apo me masa, metoda dhe sisteme të organizimit të punes.

Sinjalistika është detyrim ligjor dhe për cdo subjekt apo vend pune në sektorë të ndryshëm të tregut të punës.


Pajisjet Mbrojtëse Individuale (PMI)

V.K.M Nr. 563 date 03.07.2013 “Për kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale në vendin e punës” përcakton kërkesat minimale të sigurisë dhe shëndetit për përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale (PMI) në vendin e punës. PMI  janë  të nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve në punë.

Sa më sipër punëdhënësi ka detyrimin ligjor të sigurojë për punëmarrësit pajisjet mbrojtëse individuale për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të tyre, përshtatjen e tyre me profilet e punës. PMI duhet të jenë të certifikuara dhe të kenë markën CE. Punëmarrësi ka detyrim që ti përdorë me korrektesë dhe ti mirëmbajë Pajisjet mbrojtëse individuale.


Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë

Bazuar në Ligjin bazë të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, nr.10237 dhe VKM nr.107 është detyrim ligjor për  ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëmarrës të ngrejnë dhe të kenë funksionim të vazhdueshëm të Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Ngritja e Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë është një detyrim ligjor. Ai funksionon si një organ kolegjal, i cili mblidhet periodikisht dhe konstaton problematika dhe ofron alternativat e zgjidhjes, sa i përket cështjeve te sigurisë dhe shëndetit në punë.

Stafi i TOSHA me ekspertizën e saj, informon dhe konsulton në cdo hap procedurën për ngritjen dhe funksionimin real të Këshillit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.


Hartimi i Regjistrit të Aksidenteve në Punë dhe Sëmundjeve Profesionale

Bazuar në Lgjin e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë është detyrim për punëdhënësin të hartojë dhe mirëmbajë Regjistrin e Aksidenteve në Punë dhe të sëmundjeve profesionale, regjistrin e mjekut dhe atë të vizitave.

Mospasja e tyre në rast kontrolli nga institucionet përkatëse shtetërore konsiderohet shkelje dhe ka penalitetet e caktuara nga Ligji.

TOSHA në ndjekjen dhe auditin e vijueshëm të shërbimit ndaj Klientëve, e ofron konsulencën e saj për hartimin dhe mirëmbajtjen e këtyre regjistrave.


Dhënia e Ndihmës së Parë

Sipas Ligjit të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, nr 10237, në cdo ndërmarrje duhet të ketë persona të certifikuar për dhënien dhe ofrimin e ndihmës së parë, në rast të ndonjë emergjence. Numri i personave të certifikuar bëhet sipas një përllogaritjeve me numrin e përgjithshëm të punëmarrësve, turnet e punës dhe hapësirave të mjediseve të punës.


Monitorim i vijueshëm

Stafi i TOSHA ka gjithnjë në monitorim të vazhdueshëm ndërmarrjet partnere të saj. Ky monitorim konsiston për zbatimin e rregullave të sigurisë në punë, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse individuale për cdo punëmarrës të klientit si dhe të nënkontraktorëve të tij, bën vizitat periodike të mjekut, etj. Gjithashtu pjesë e rëndësishme e monitorimit janë edhe trajnimi dhe informimi i punonjësve që fillojnë rishtas, hapja e kartelës mjekësore dhe njohja me Dokumentin e Vlerësimit të riskut në mënyrë të detajuar dhe konkrete.